ASH: Dimitrievski me më pak deputetë, por me më shumë pushtet
Aleanca për Shqiptarët kritikon propozimin e ministrit Shasivari për provimin e jurisprudencës dhe akuzon VLEN-in për mungesë vendosmërie.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se pakënaqësia e studentëve shqiptarë është e arsyeshme pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, që 12 provime teorike të zhvillohen në gjuhën shqipe, ndërsa dy provimet praktike të mbahen vetëm në maqedonisht. Sipas kësaj partie, çështja nuk duhet të shtyhet pas dy gjeneratash pritjeje, ndërsa paralajmërimi për dërgimin e saj në Komisionin e Venecias është i papranueshëm.
Në anën tjetër, Maksim Dimitrievski, kryetar i ZNAM-it dhe partner në koalicionin qeveritar, ka deklaruar se gjuha maqedonase përbën vijë të kuqe dhe se nuk do të lejojë mbajtjen e provimit në gjuhën shqipe. ASH thekson se ZNAM-i arrin të vendosë kushte pavarësisht numrit më të vogël të deputetëve, ndërkohë që VLEN-i kërkon kompromise për premtime kryesore, duke ngritur pyetje mbi ndikimin e vërtetë në qeverisje.
Partia u bën thirrje ministrit Shasivari dhe përfaqësuesve të VLEN-it që të tërheqin propozimin aktual dhe të mundësojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe.