Studentët e psikologjisë fitojnë garën ndërkombëtare të debatit në Itali
Studentët e Universitetit të Prishtinës triumfuan në Padova mes 16 ekipeve botërore.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
PRISHTINË — Studentët e Departamentit të Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës kanë fituar garën ndërkombëtare të debatit “Botta e Risposta” të mbajtur në Padova të Italisë. Ekipi fitues i përbërë nga Dardan Bytyqi, Eraa Morina, Jona Olloni dhe Flandra Hasani arriti të triumfojë në mesin e gjashtëmbëdhjetë ekipeve nga vende të ndryshme të botës pas një rrugëtimi të suksesshëm ku mposhtën edhe përfaqësuesit e Italisë, Sllovenisë, Francës dhe Indisë e Indonezisë.
Lajmi u bë i ditur nga Fitim Uka, profesor në Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik, i cili shprehu krenarinë për suksesin e arritur në këtë platformë ndërkombëtare të dedikuar për të diskutuar tema shoqërore, filozofike dhe aktuale. «Sot, ata nuk fituan vetëm një garë. Ata dëshmuan potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve tanë dhe të një gjenerate që ka çfarë t’i ofrojë botës akademike», u shpreh Uka, duke shtuar se mendje të tilla duhet të mbështeten dhe t’u krijohen mundësitë për të shkëlqyer.