Anton Quni: Djali im u betua si ushtar në Forcat e Armatosura të Kroacisë
Dritoni ka dhënë betimin ushtarak në Kroaci, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes shpreh krenarinë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka njoftuar se i biri i tij, Dritoni, është bërë pjesë e ushtrisë kroate pasi ka dhënë betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Kroacisë. Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, deputeti ka shprehur gëzimin dhe krenarinë familjare për këtë hap të rëndësishëm të të birit, duke i uruar një shërbim të mbarë, të suksesshëm dhe përmbyllje me nder.
Quni ka shprehur besimin se përvoja në këtë ushtri do të ndihmojë në përgatitjen e tij për sfidat e jetës dhe në forcimin e karakterit. Ai ka vlerësuar se shkathtësitë ushtarake, etika, disiplina dhe puna në grup të fituara gjatë kësaj kohe do të jenë themelore për të ardhmen. «Kudo dhe kurdo, qoftë edhe i veshur me uniformën e ushtrisë kroate, Dritoni do të mbetet përfaqësuesi më i denjë i traditës dhe i kulturës sonë shqiptare», ka shkruar ndër të tjera deputeti, duke shtuar se pavarësisht uniformës, i riu do të ruajë lidhjen me trashëgiminë shqiptare.