Shtatë fëmijë përfundojnë në spital në Vlorë pas dyshimeve për helmim ushqimor
Shtatë fëmijë të një kopshti në Vlorë janë paraqitur në repartin e pediatrisë me simptoma helmimi, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka nisur analizat.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
VLORË — Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë kanë përfunduar në shërbimin e pediatrisë pasi kanë shfaqur dhimbje barku dhe të vjella të vazhdueshme. Mbrëmjen e kaluar, të miturit u paraqitën në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa pesë prej tyre janë shtruar në repart dhe vijojnë të marrin trajtim. Ndërkohë, dy fëmijë të tjerë kanë marrë vetëm shërbim ambulator.
Prindër të tjerë kanë konfirmuar se edhe fëmijët e tyre kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por i kanë trajtuar në banesë pa i paraqitur në spital. Pas regjistrimit të këtyre rasteve, spitali ka njoftuar Institutin e Shëndetit Publik, specialistët e të cilit kanë marrë mostrat përkatëse për analiza laboratorike. Aktualisht priten përgjigjet e analizave për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për helmim nga ushqimi dhe cili ka qenë shkaktari i tij.