Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Premte · 31 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm ShqipëriKulturë

Turistët spanjollë e italianë zgjedhin Shëngjinin

Bregdeti i Shëngjinit po tërheq çdo vit e më shumë turistë nga vende të ndryshme të botës

Redaksia ZHURMA Përditësuar 20:25 + Ruaj
Turistët spanjollë e italianë zgjedhin Shëngjinin
FOTO · Foto: Des Blenkinsopp / Wikimedia Commons

SHËNGJIN — Bregdeti i Shëngjinit po tërheq çdo vit e më shumë turistë nga vende të ndryshme të botës. Deti i pastër, plazhet, Rana e Hedhun, gastronomia dhe atmosfera e gjallë e kanë kthyer këtë zonë në një nga destinacionet më të preferuara të verës në Shqipëri.

Një turist nga Spanja tregon se gjatë udhëtimit të tij ka vizituar disa nga destinacionet më të njohura të vendit, si Shkodra, Valbona, Thethi, Tirana dhe Shëngjini. Sipas tij, mikpritja e shqiptarëve ishte ajo që i la më shumë mbresa.

“Jam ndier shumë mirë gjatë qëndrimit tim në Shqipëri. Njerëzit më kanë trajtuar si vendas. Më ka pëlqyer shumë edhe ushqimi shqiptar. Valbona më mahniti me natyrën e saj dhe do të doja të rikthehesha pas disa vitesh për të parë zhvillimin e vendit,” u shpreh ai.

Mes pushuesve nuk mungojnë as turistët italianë, të cilët thonë se ngjashmëritë mes Shqipërisë dhe Italisë i bëjnë të ndihen si në shtëpinë e tyre. Një turist nga Lombardia vlerësoi mikpritjen, jetën e natës, detin dhe kuzhinën shqiptare.

“Kam shtatë ditë në Shqipëri dhe ka qenë një përvojë e mrekullueshme. Shqiptarët janë shumë mikpritës dhe të sjellshëm. Më pëlqeu ushqimi tradicional, sidomos djathi, por edhe fakti që këtu gatuhet shumë mirë kuzhina italiane,” tha ai.

Top Channel tregon se Shëngjini po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet kryesore turistike të verës në Shqipëri, duke tërhequr vizitorë që largohen me premtimin për t’u rikthyer.

Burim: Top Channel
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Shqipëri →

Nga Enciklopedia

Muzeu →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →