Sa persona mbeten ende të zhdukur në rajonin e Pejës?
Rreth 400 persona nga Peja, Klina, Istogu dhe Deçani figuron ende në listën e të zhdukurve me forcë gjatë luftës.
PEJË — Rreth 400 persona nga Peja, Klina, Istogu dhe Deçani vazhdojnë të figuren në listën e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. Këto shifra janë trajtuar gjatë shfaqjes së një dokumentari dhe një debati në Pejë, ku u diskutuan mizoritë e forcave serbe dhe përpjekjet për fshirjen e gjurmëve të krimeve të luftës në rajonin e Dukagjinit.
Gjatë debatit, prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, deklaroi se institucionet kanë ngritur mekanizma të veçantë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Ai theksoi se çdo informacion, pavarësisht madhësisë, mbetet kritik për zbulimin e varreve masive apo identifikimin e mbetjeve mortore, edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës.
Morina sqaroi se në vitin 2023 është funksionalizuar Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale. Paralelisht, Policia e Kosovës ka krijuar Njësinë për Hetimin e Krimeve të Luftës si dhe Njësinë e Posaçme për Personat e Zhdukur, e cila merret ekskluzivisht me trajtimin e informacioneve për këtë kategori.
Për zbatimin e këtyre mekanizmave, prokurori prezantoi shifra konkrete për aktivitetet e kryera. Vetëm gjatë vitit 2025, janë realizuar 55 aktivitete që lidhen me personat e pagjetur, ku nga to 32 kanë qenë gërmime ose zhvarrime me urdhër të gjykatës, ndërsa 22 kanë qenë shikime të lokacioneve me interes.
Rezultatet e këtyre hulumtimeve, të mbështetura shpesh nga informacione të qytetarëve, kanë çonë në gjetje konkrete. Morina konfirmoi se vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 24 gjetje të mbetjeve mortore, duke dëshmuar se hulumtimet në terren vazhdojnë të prodhojnë rezultate pavarësisht kohës së kaluar.
Në panelin e diskutimit morën pjesë gjithashtu Kushtrim Gara, përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, dhe Kreshnik Gashi nga Kallxo. Ata diskutuan sfidat në procesin e gjetjes, duke vënë theksin te mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional si një nga pengesat kryesore për familjet që presin së bashku.
Dokumentari i shfaqur pasqyron traumën e mijëra familjeve të rajonit të Pejës, të cilat prej 27 vitesh jetojnë mes shpresës dhe dhimbjes. Kjo barrë psikologjike është bartur edhe te brezat e lindur pas luftës, duke e kthyer zbardhjen e fatit të të zhdukurve në një çështje urgjente të drejtësisë.
Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.