Zgjerohet hendeku buxhetor dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës
Të dhënat tregojnë rritje të buxheteve dhe PBB-së për periudhën 2020–2027, por diferenca mes dy vendeve thellohet.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Për periudhën 2020–2027, Shqipëria dhe Kosova shënojnë rritje të buxheteve dhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto nominal, megjithëse diferenca në vlerë monetare mes tyre po zgjerohet ndjeshëm. Buxheti i Shqipërisë u rrit nga 4,44 miliardë euro në vitin 2020 në rreth 9,22 miliardë më 2026, duke shënuar një rritje prej afërsisht 108 për qind. Ndërkohë, në Kosovë buxheti u ngrit nga 2,36 miliardë euro në rreth 4 miliardë, ose rreth 69 për qind më shumë për të njëjtin vit. Kjo bën që hendeku buxhetor mes dy vendeve të zgjerohet nga 2,08 miliardë euro në vitin 2020 në rreth 5,22 miliardë më 2026.
Dallimet thellohen edhe në madhësinë e ekonomive respektive. PBB-ja nominale e Shqipërisë, e cila ishte 13,38 miliardë euro më 2020, parashikohet të arrijë në rreth 29,01 miliardë më 2026, kurse për Kosovën shifrat përkatëse janë 6,77 miliardë dhe rreth 11,79 miliardë euro. Bazuar në këto shifra, ekonomia shqiptare më 2026 do të jetë rreth 2,46 herë më e madhe se ajo e Kosovës, krahasuar me rreth 1,98 herë sa ishte më 2020. Ky krahasim pasqyron PBB-në e përgjithshme nominale dhe nuk përfshin të ardhurat për banor apo rritjen reale ekonomike.
Për vitin 2027, Shqipëria parashikohet të ketë buxhet në nivel drafti prej rreth 10,15 miliardë eurosh dhe PBB në rreth 30,50 miliardë, ndërsa PBB-ja e Kosovës vendoset në rreth 12,55 miliardë euro. Qeveria e Kosovës ende nuk e ka propozuar projektbuxhetin për vitin 2027, pavarësisht se afati i fundit ligjor për këtë është deri më 30 tetor.