Rizvanolli fton investitorët gjermanë në sektorin e energjisë
Ministrja e Ekonomisë kërkon forcimin e partneritetit ekonomik në Forumin e tretë Gjermano-Kosovar.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë, ngjarje e organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare nën moton «Driving the Next Economy». Ajo ka ftuar bizneset dhe investitorët gjermanë që të shfrytëzojnë mundësitë e bashkëpunimit dhe të investojnë në sektorin e energjisë, duke përfshirë energjinë e ripërtëritshme dhe sistemet e ngrohjes me efiçiencë të energjisë.
Gjatë fjalës së saj, Rizvanolli theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke vënë në pah se ky shtet ka qenë përkrah vendit që nga lufta për liri e pavarësi. Ajo specifikoi se sektori energjetik ofron mundësi për investime private përmes ankandeve konkurruese, si dhe në kapacitetet për ruajtjen e energjisë, duke përfshirë financimin, ndërtimin, furnizimin me pajisje, operimin dhe mirëmbajtjen.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, ekspertë dhe investitorë nga të dyja vendet, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe identifikimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik. Rizvanolli bëri thirrje që investitorët të përgatiten për ankandet e ardhshme dhe të krijojnë partneritete me kompanitë lokale.