Rama: PS nuk lëshon pushtetin për shkak të protestave
Kryeministri thotë misioni i PS-së do të mbarojë vetëm kur flamuri kuqezi të valojë në oborrin e BE-së.
TIRANË — Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste nuk do të largohet nga qeverisja për shkak të protestave, duke theksuar se mandati i saj buron nga vota e qytetarëve dhe nga shumica parlamentare në Kuvend. Sipas tij, në demokraci askush nuk e trashëgon apo e dorëzon pushtetin sipas dëshirës, por vetëm sipas vullnetit të popullit.
Rama u shpreh: “Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri theksoi se as ai vetë nuk ka të drejtë të vendosë se kush duhet të jetë në qeveri apo në opozitë, pasi këtë e përcaktojnë vetëm qytetarët me votë. Ai komentoi edhe thirrjet për dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk mund të largohet nga detyra vetëm sepse “një pakicë thërret në kor”.
“‘Rama jepe dorëheqjen’, ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon. Por të largohesh nga detyra pse një pakicë thërret në kor, është vetëm braktisje e një përgjegjësie të madhe”, deklaroi ai.
Rama tha se misioni i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke shtuar se “misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar”.
Kryeministri foli edhe për dokumentin “Besa”, që sipas tij do të jetë kthesa qeverisëse e mandatit të katërt. Ai përmendi edhe shembuj nga jashtë — Barack Obama në SHBA, si dhe raste në Brazil, Spanjë me “Podemos”, Francë me Macron dhe “5 yjet” në Itali — parti që, sipas tij, “ranë me veshët mbyllur” pasi nuk dëgjuan qytetarët.
Rama kujtoi se Obama pati rreth 2 milionë vullnetarë e 13 milionë emra të lidhur me kauzën, por e pranoi më vonë “dështim” shuarjen e lëvizjes pas zgjedhjeve të mesmandatit. Ai theksoi se PS nuk duhet të “dëgjojë me një vesh e të shikojë nga një anë”, ndërsa kujtoi se qytetarët e kanë zgjedhur partinë e tij katër herë radhazi.
Burim: Shekulli
— Redaksia ZHURMA