Berisha: Me PD-në në pushtet asnjë taksë nuk do të jetë mbi 12,5 %
Kreu i opozitës Sali Berisha ka kritikuar paketën fiskale për vitin 2027 dhe ka prezantuar zotimet e Partisë Demokratike.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se paketa fiskale për vitin 2027 dëmton rëndë qytetarët me të ardhura të ulëta, bizneset e vogla dhe shtresën e mesme, duke shtuar se qeveria po rrit taksat pa paralajmërim dhe pa konsultim publik. Gjatë një komunikimi online, ai u shpreh se ndryshimet në skemën e TVSH-së do të sjellin rritje çmimesh dhe se rreth 18 mijë biznese rrezikojnë falimentimin. Sipas tij, përfshirja e më shumë dyqaneve në këtë skemë detyron rritjen e çmimeve me 6 për qind, pavarësisht uljes së TVSH-së për 52 produkte.
Berisha u ndal gjithashtu te taksa e dividentit, duke theksuar se dyfishimi i saj do të ketë pasoja të rënda për investimet e huaja dhe se rritja në 15 për qind de fakto i largon investitorët. Ndërkohë, ai prezantoi zotimet e opozitës për taksat dhe ekonominë, duke garantuar se nën qeverisjen e PD-së nuk do të ketë asnjë taksë mbi 12,5 për qind, përfshirë TVSH-në, ndërsa sigurimet shoqërore për punëdhënësin dhe punëmarrësin nuk do të kenë taksa mbi këtë nivel. Lidhur me profesionet e lira, ai premtoi përjashtim total ose zbritje të taksës në 12,5 për qind.
Kreu i opozitës premtoi gjithashtu se taksa e qarkullimit nuk do të paguhet në makinë dhe se nafta në Shqipëri nuk do të shitet kurrë më shtrenjtë sesa në vendet përreth, duke marrë si referencë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.