Vlonjati pagoi 5 mijë euro për licencë drejt Sicilisë — nuk e merr pas 7 vitesh
Paguan mijëra euro, por nuk marrin as dokumentin dhe as paratë
TIRANË — Një qytetare nga Vlora i është drejtuar emisionit investigativ Fiks Fare duke pretenduar se bashkëshorti i saj ka paguar mijëra euro për pajisjen me një licencë transporti me Sicilinë, por pas shtatë vitesh nuk ka marrë as dokumentin e premtuar dhe as kthimin e parave.
Sipas saj, nëpërmjet një miku të përbashkët janë njohur me Artur Pengilin, i cili u kishte premtuar se mund të siguronte një licencë për linjë transporti me Sicilinë, qoftë për furgon apo autobus. Për këtë shërbim, familja ka paguar shumën prej 5 mijë eurosh, për të cilën është hartuar edhe një deklaratë ku përcaktohej se pagesa bëhej për kryerjen e procedurave të licencimit.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar shtatë vite, licenca nuk është siguruar dhe paratë nuk janë kthyer. Qytetarja kërkon ndërhyrjen e Fiks Fare për të rikuperuar shumën e dhënë. Gjatë një takimi të zhvilluar mes çiftit dhe Artur Pengilit, ky i fundit pranon se ka një detyrim ndaj tyre dhe shprehet se do t’ua kthejë paratë, por kërkon më shumë kohë, duke argumentuar se ka pasur probleme shëndetësore.
Nga ana tjetër, një bashkëpunëtor i Fiks Fare e telefonon Pengilin duke u interesuar për një licencë transporti. Fillimisht ai premton se do të konsultohet me persona të tjerë dhe do të kthejë përgjigje. Më pas, i kërkon bashkëpunëtorit t’i dërgojë patentat dhe kartën e identitetit, dokumente që i dërgohen.
Ky komunikim ngre dyshime se ai vazhdon ende të merret me këtë aktivitet. Gazetarët e Fiks Fare shkojnë më pas në biznesin e Artur Pengilit, një lokal në zonën e Ali Demit në Tiranë. Sapo përballet me kamerën, ai refuzon të japë shpjegime, duke deklaruar se e di arsyen e pranisë së gazetarëve dhe duke u kërkuar atyre të largohen.
Qytetari thotë se do t’ua kthejë paratë qytetarëve që pretendojnë se janë dëmtuar financiarisht nga kjo histori.
Burim: Report Tv, https://report.al/pagoi-mijera-euro-per-nje-licence-transporti-me-siciline-pas-7-vitesh-nuk-mori-as-dokumentin-dhe-as-parate/
— Redaksia ZHURMA