Mali Sharr zhvillon largimin e gypave të hidrocentraleve
Një operacion kompleks për çmontimin dhe largimin e gypave të vogla Shkumbini84 dhe Shkumbini85
LESHNICË — Parku Kombëtar "Mali Sharr" ka njoftuar se, në koordinim me institucionet kompetente shtetërore, është duke u zhvilluar një operacion kompleks për çmontimin dhe largimin e gypave të hidrocentraleve të vogla Shkumbini84 dhe Shkumbini85 në luginën e Leshnicës.
Me këtë, ka filluar hapi i parë drejt rikthimit të natyrës në gjendjen e saj të mëparshme. "Kjo nuk është një ndodhi e rastësishme. Kjo është rezultat i një procesi të gjatë dhe të përkushtuar institucional, në të cilin Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr ka mbrojtur me përkushtim argumentet profesionale, ligjore dhe ato të mbrojtjes së natyrës përpara të gjitha institucioneve kompetente, me një qëllim të qartë – mbrojtjen e luginës së Leshnicës dhe ruajtjen e vlerave natyrore të Malit Sharr", kanë thënë nga Parku Kombëtar.
Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar Mali Sharr përcakton qartë se ndërtimi i hidrocentraleve të reja nuk lejohet në asnjërën nga zonat e mbrojtjes, pasi ato paraqesin një nga kërcënimet më të mëdha për vlerat natyrore dhe ekosistemet ujore.
Parku Kombëtar kërkoi kthimin e lumit Shkumbin në gjendjen e mëparshme natyrore, gjë që nënkupton çmontimin e plotë të gypave të vendosur, largimin e tyre jashtë kufijve të Parkut Kombëtar, heqjen e strukturave prej betoni dhe restaurimin gradual të ekosistemit natyror të lumit.
Burim: Portaleb
— Redaksia ZHURMA