Propozohet angazhimi i një endokrinologu për konsultime mujore në Ulqin
Në aktivitetin përmbyllës të OJQ-së “Rrethi i Kaltër” u dha propozimi për konsultime mujore me specialistin.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjatë aktivitetit përmbyllës të projektit për parandalimin e ketoacidozës diabetike, realizuar nga organizata “Rrethi i Kaltër” me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, pjesëmarrësit ngritën një kërkesë drejtuar Shtëpisë së Shëndetit për të siguruar konsultime me një endokrinolog të paktën një herë në muaj. Kjo nismë synon t'u lehtësojë qytetarëve qasjen në shërbime të specializuara.
Drejtoresha e shoqatës, Veneranda Gjonaj, paraqiti rezultatet e nismës, ndërsa Dr. Rajmond Gjonaj shpjegoi rëndësinë e kontrolleve dhe rreziqet e ketoacidozës diabetike. Sipas statistikave të shoqatës, në territorin e Komunës së Ulqinit janë regjistruar rreth 1.200 persona të prekur nga diabeti i tipit një ose dy. Në kuadër të këtij takimi, ku morën pjesë qytetarë, profesionistë shëndetësorë dhe përfaqësues të organizatave e mediave, u shpërndanë gjithashtu pajisje për matjen e glukozës në gjak, shirita, vitamina dhe materiale informuese për familjet me të ardhura të ulëta.