Shtëpia e Shëndetit në Ulqin bëhet me mamograf të ri digjital 3D
Investim i ri shëndetësor për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit në Ulqin.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Shtëpia e Shëndetit në Ulqin ka pranuar një mamograf të ri digjital 3D, si pjesë e një investimi për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe zgjerimin e mundësive për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Pajisja moderne u dorëzua zyrtarisht më 22 tetor 2026, në një ceremoni ku ishin të pranishëm drejtues institucionesh, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Nimanbegu deklaroi se pushtet lokal ka ndarë 140 mijë euro nga buxheti për blerjen e këtij aparati bashkëkohor, i cili përbën një pajisje të rrallë në Mal të Zi. Sipas tij, vetëqeverisja lokale prej mbi dy vjetësh e gjysmë angazhohet intensivisht për përmirësimin e jetëssë qytetarëve. Nga ana e tij, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, dr. Kreshnik Mustafa, shprehu mirënjohjen për donacionin, ndërsa radiologu dr. Selim Ismaili vuri në dukje se ky shënon donacionin e parë të komunës për institucionin që nga viti 1998.
Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë, Mirjana Vllahoviq – Andrijasheviq, vlerësoi lart partneritetin ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror. Ajo theksoi se vendbanimi nuk duhet të kushtëzojë kurrë cilësinë e përkujdesjes mjekësore. Kjo pajisje e re, e cila tashmë ka nisur përdorimin për pacientesha përmes udhëzimeve nga mjeku i zgjedhur, vjen gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, duke i dhënë fund nevojës që gratë të udhëtojnë në qytete të tjera për kontrolle të tilla të specializuara.