Vazhdo leximin
⌕ ☆
Kronikë

Pesë shkupjanë nën hetim për organizatë terroriste ISIS

Si funksiononte grupi që propagandonte xhihadizmin përmes rrjeteve sociale?

Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim

SHKUP — Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar sipas kallëzimit penal të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër pesë personave nga Shkupi, të moshës 22–34 vjeç, të dyshuar për veprën penale "Organizatë Terroriste".

Pesë shkupjanë nën hetim për organizatë terroriste ISIS
Foto: Pixabay

Sipas provave të mbledhura, i dyshuari kryesor, në fund të vitit 2024, ka krijuar një kanal dhe grup në internet në një platformë sociale. Anëtarë të këtij grupi kanë qenë edhe të dyshuarit e tjerë.

Gjatë viteve 2025 dhe 2026, përmes këtyre kanaleve të komunikimit, të dyshuarit kanë shpërndarë përmbajtje që promovonin dhe mbështesnin ideologjinë e organizatës terroriste ISIS dhe organizatave të tjera terroriste të lidhura ideologjikisht, si dhe materiale ideologjike xhihadiste. "Qëllimi ka qenë përhapja e propagandës, indoktrinimi ideologjik dhe glorifikimi i veprimeve terroriste dhe i autorëve të tyre", thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gjatë ditës së djeshme, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë kryer kontrolle në pesë lokacione në territorin e Shkupit, prej të cilave tre në Burgun Idrizovë, ku dy nga të dyshuarit po vuajnë dënim për një vepër tjetër penale, ndërsa një i dyshuar ndodhet në paraburgim. Dy kontrolle të tjera janë kryer në lokacione të lidhura me të dyshuarit e mbetur. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar disa pajisje elektronike dhe sende të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës dhe procedurës së mëtejshme të provave.

Gjykata Themelore Penale Shkup i caktoi masën e paraburgimit për njërin nga të dyshuarit, ndërsa për të dytin u caktua masa e arrestit shtëpiak.

Burim: Portalb, https://portalb.mk/rmv-pese-persona-nen-hetim-per-organizate-terroriste/
— Redaksia ZHURMA

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
LIVE Ortakoll: Wesley Clark, Prizren 25 kamera →
Pyet Zhurmën
Shërbime, enciklopedi dhe lajme