Mexhiti: Kemi qëndrime të kundërta në qeveri, por i tejkalojmë
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, deklaron se çështja e Bërvenicës është tejkaluar dhe nuk do të ketë ndikim në qeveri.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjatë një paraqitjeje para gazetarëve në Bogovinë, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka folur lidhur me zgjedhjet në Bërvenicë dhe deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili kishte thënë se VLEN-i ka qenë «kali i Trojës» në këto zgjedhje. Mexhiti ka theksuar se me kryeministrin zhvillojnë takime të rregullta dhe se ndonëse ka përplasje mendimesh e qëndrimesh, ekzekutivi ka kapacitet demokratik për t'i mbyllur ato brenda institucioneve.
«Me kryeministrin Mickoski kemi takime të rregullta. Ne jemi në Qeveri, por jemi partnerë, jo gjithherë mendojmë njëjtë, ka momente kur edhe përplasemi me mendime dhe qëndrime, por Qeveria ka kapacitet demokratik për t'i përmbyllur këto brenda qeverisë dhe për të ecur përpara. Jemi të fokusuar te zgjidhjet, jo te zgjedhjet», u shpreh Mexhiti, duke shtuar se çështja e Bërvenicës është lënë pas dhe nuk do të lërë pasoja në koalicionin qeveritar.
Lidhur me ndryshimet e paralajmëruara pas rikonstruimit qeveritar dhe pritshmëritë për eshalonin e dytë, Mexhiti mohoi se ka zvarritje. Ai sqaroi se fillimisht u vu theksi te eshaloni i parë, kurse tani po bëhet evaluimi i punës së funksionarëve, zëvendësministrave dhe drejtorëve për të ardhur në një përfundim përfundimtar nga të gjitha subjektet.