Pse mbyllet dyert e Shtëpisë së Pleqve në Kumanovë?
Rreth 30 pleq presin rend për tu pranuar, por mungesa e stafit dhe e kuadrit pengojnë pranimin
— KUMANOVË — Reth 30 pleq presin rend për tu pranuar në Shtëpinë e Pleqve në Kumanovë 'Zafir Sajto', por për shkak të mungesës së personelit në institucion, dyert për ata mbeten të mbyllura. Mungesa e stafit e ulë edhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve për banorët ekzistues, shkruan Portalb.mk.
Mungesa e kuadrit në këtë institucion e pamundëson pranimin e pleqve të tjerë, ndërsa sfiduese mbetet edhe ofrimi i shërbimeve për ata që tani më janë vendosur në këtë institucion. Se mungesa e kuadrit ndjehet çdo ditë në punë e konfirmojnë edhe punonjësit e institucionit.
Hanumsha Bajrami, e punësuar në Shtëpinë e Pleqve në Kumanovë për Portalb.mk tha se nevoja për punësime të reja është e dukshme dhe do e lehtësonte edhe punën e tyre. “Kemi rreth 170 të vendosur, ndërsa kërkesa ka edhe më shumë, por aq e kemi kapacitetin. Stafi nuk është i mjaftueshëm dhe kemi mungesë të madhe të kuadrit. Një punëtor kryen punën e dy ose tre punëtorëve të tjerë.
Drejtori i Shtëpisë së Pleqve “Zafir Sajto”, Aleksander Kërstevski, për Portalb.mk e konfirmoi se rreth 30 persona të tjerë presin për t’u pranuar, por për shkak mungesës së stafit nuk kanë mundësi t’i pranojnë të tjerët. “Për të ofruar shërbime më cilësore, normalisht duhet të kemi më shumë kuadër. Momentalisht kemi 33 të punësuar me kontrata të përhershme dhe shtatë me kontrata në kohë të caktuar.
Mungesa e stafit është një ndër pengesat kryesore . Për këtë çështje kemi biseduar edhe me ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Velkovski, i cili është i njoftuar me situatën. Problemi më i madh për punësime të reja janë financat dhe shpresojmë që me rebalancin e buxhetit të krijohen mundësi për pranimin e personelit të ri”, u shpreh Kërstevski.
Ai shtoi se, për të funksionuar normalisht, institucionit i duhen rreth 68 punonjës, ndërsa ka 40. Pavarësisht këtyre sfidave, disa nga pleqtë që banojnë në këtë shtëpi u deklaruan për Portalb se janë të kënaqur me kushtet.
Ministria e Financave nuk njoftoi për miratim të vendeve të reja të punës, por sqaroi se gjatë viti 2024 për këtë institucion janë realizuar procedura për punësime. “Ministria e Financave po dërgon njoftime te përdoruesit buxhetorë për zbatimin e punësimeve të reja në përputhje me dispozitat ligjore”, thanë nga Ministria e Financave.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Ministrisë së Politikës Sociale ekzistojnë pesë institucione publike (Shkup, Kumanovë, Prilep, Manastir dhe Berovë) për të moshuarit, ndërsa 44 institucione tjera private të cilat ofrojnë strehim për personat e moshuar.
Burim: Porterb, https://portalb.mk/30-pleq-presin-radhe-mungesa-e-stafit-ua-mbyll-dyert-e-shtepise-se-pleqve-ne-kumanove/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.