Mbi 700 fëmijë lypin në rrugët e vendit
Më shumë se 700 fëmijë vazhdojnë të lypin në qytetet e vendit, ndërsa fitimet e mëdha përfundojnë te organizatorët.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Në rrugët e qyteteve të Maqedonisë, kryesisht në Shkup dhe qendrat turistike të Ohrit e Strugës, lypin ende më shumë se 700 fëmijë. Sipas Ilija Jovanoviqit nga shoqata “Ndërtimi Ardhmëri”, numri i tyre dikur ishte rreth 2,000, por është arritur të ulet gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm në Ohër dhe Strugë operojnë përditë rreth 30 lypës të moshave nga të porsalindur deri në 15 vjeç, të cilët vijnë nga qytete të ndryshme si Velesi, Prilepi, Manastiri, Tetova, Gostivari dhe Resnja.
Jovanoviq thekson se ekziston një skemë e përpunuar ku fëmijët punojnë tetë orë dhe realizojnë fitime prej 3000 deri në 5000 denarë, ndërsa vetë fëmijët marrin vetëm 10 deri në 30 denarë, përfundojnë të rrahur, kurse shumat e tjera u mbesin organizatorëve. Ai shton se ka edhe abuzim me vajzat për ofrimin e shërbimeve seksuale dhe dhënie me qira të apartamenteve, ndërsa policia ngre kallëzime penale dhe pas paralajmërimeve mund të heqë të drejtat prindërore. Për ta luftuar këtë dukuri, Jovanoviq kërkon ndryshimin e ligjit penal për heqjen e të drejtave prindërore brenda një ore dhe kërkon mbështetje më të madhe nga komunat për hapjen e qendrave të kujdesit ditor.
Prania e lypësve përbën një problem të madh për bizneset dhe imazhin e qendrave turistike para mysafirëve të huaj. Gastronomi nga Struga, Arben Murtishi, u bën thirrje zyrtarëve më të lartë, përfshirë kryeministrin dhe ministrin e brendshëm, që t'i kthejnë sytë nga Struga për t'i dhënë fund këtij mjerimi.