Shtetasi hungarez kapet në Tabanoc me 200 mijë euro të padeklaruara
Drejtoria e Doganave njofton se një shtetas hungarez është kapur në pikën kufitare të Tabanocit duke tentuar të fusë ilegalisht në vend 200.000 euro.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Autoritetet doganore ndaluan për kontroll një automjet në pikën kufitare të Tabanocit pasi ngritën dyshime ndaj udhëtarit, duke zbuluar shuma të fshehura parash në vende të ndryshme të mjetit. Gjatë kontrollit të detajuar, në një çantë të zezë prej pëlhure mes ulëseve pranë levës së ndërrimit të shpejtësive u gjetën 65.000 euro.
Kontrolli i mëtejshëm në pjesën e pasme të automjetit, nën një kompjuter brenda një çante shpine, çoi në zbulimin e një çante tjetër të vogël me 37.650 euro, ndërsa në një valixhe mes rrobave u gjetën edhe 97.350 euro të tjera. Nga totali prej 200.000 eurosh të padeklaruara, udhëtarit iu kthyen 10.000 euro sipas Ligjit për operacionet valutore, kurse 190.000 euro u mbajtën nga dogana bashkë me lëshimin e dëshmisë përkatëse. Ndaj personit është ngritur kallëzim për kundërvajtje nga Drejtoria e Doganave.