lajme

Totaj: Lista finale e PDK-së ka emra nga 28 dhjetori i kompromentuar

Kryetari i Prizrenit thotë se dega lokale nuk i propozoi, por lista qendrore e PDK-së i ka përfshirë.

Totaj: Lista finale e PDK-së ka emra nga 28 dhjetori i kompromentuar
Foto: www.koha.net

PRIZREN — Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka publikuar zyrtarisht listën e kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, por kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka zbuluar se lista përfundimtare e partisë përfshin kandidatë emrat e të cilëve janë lidhur me procesin e kompromentuar të numërimit të votave në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit 2025.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Totaj ka theksuar se, pas thirrjes publike të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza për reflektim dhe përgjegjësi politike, dega e Prizrenit ka vepruar sipas atyre parimeve: personat e kompromentuar nuk janë propozuar nga Prizreni, dhe disa prej tyre janë tërhequr publikisht nga gara deri në përfundimin e procedurave ligjore.

Pavarësisht kësaj, Totaj ka shkruar drejtpërdrejt në Facebook: "Megjithatë, në listën përfundimtare të PDK-së janë përfshirë kandidatë emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e kompromituar të numërimit të votave."

Dy nga kandidatët e propozuar nga dega e Prizrenit, Nait Hasani dhe Fetah Paçarizi, rezultuan ndër kandidatët me më së shumti vota të vjedhura në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Totaj njoftoi se dega e Prizrenit do ta vazhdojë garën me "përkushtim dhe kontribut maksimal" dhe publikoi listën e nëntë kandidatëve lokalë: Faruk Bojaxhiu, Jona Hoxhaj, Shkelzen Kastrati, Endra Luzha-Pula, Adelina Beqiri-Minci, Betim Ramadani, Lumnije Rakaj, Xhafer Hoxha dhe Lajde Kolgjeraj.

PDK mbetet partia e vetme e madhe në vend që ende nuk e ka publikuar zyrtarisht listën e kandidatëve — Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës e kanë bërë këtë tashmë.

Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.