Samsung: partneri garantoi lejen, s'ka keqpërdorim
Samsung thotë se imazhi i Dua Lipës u përdor në 2025 nga një partner i palës së tretë me garanci leje — padia kërkon 15 milionë dollarë dëmshpërblim.
LOS ANGELES — Kompania Samsung ka dalë me deklaratë zyrtare pas padisë ligjore të këngëtares shqiptare me famë botërore Dua Lipa, duke mohuar çdo keqpërdorim të qëllimshëm të imazhit të saj. Kompania thotë se imazhi u përdor në vitin 2025 brenda platformës "Samsung TV Plus", nëpërmjet një partneri të palës së tretë, i cili kishte siguruar garanci të qartë se të gjitha lejet ishin marrë, përfshirë edhe për paketime.
Në një deklaratë dhënë revistës Billboard, Samsung shkroi: "Imazhi i zonjës Lipa është përdorur vetëm pas sigurimit të qartë nga partneri i përmbajtjes se leja ishte marrë. Bazuar në këtë garanci, ne i hedhim poshtë pretendimet për keqpërdorim të qëllimshëm." Kompania shtoi gjithashtu se ka respekt të madh për Dua Lipën dhe të drejtat e pronësisë intelektuale të artistëve, dhe mbetet e hapur për zgjidhje konstruktive me ekipin ligjor të këngëtares.
Avokatët e Dua Lipës kishin ngritur padi në gjykatën federale në Los Angeles, duke pretenduar se fotografia e saj është përdorur pa leje dhe pa kompensim financiar në kutitë e televizorëve Samsung. Sipas padisë, përdorimi ka vazhduar edhe pasi ishte kërkuar ndalimi i menjëhershëm. Ata argumentojnë se imazhi ka shërbyer si pjesë e një fushate të gjerë marketingu në SHBA gjatë viteve 2025 dhe 2026, duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga emri dhe imazhi i artistes.
Kërkohen 15 milionë dollarë dëmshpërblim. Dua Lipa, sipas padisë, nuk ka qenë në dijeni dhe nuk ka dhënë asnjëherë pëlqim për përdorimin e imazhit të saj. Avokatët e saj e kanë cilësuar rastin si shkelje serioze të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe identitetit personal.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.