lajme

Shkupi rinovoi "8 Shtatorin" me 12 mln euro: 7 salla operative

Shtatë salla operative mbi 2 mijë m², sisteme fotovoltaike dhe ICU e rinovuar — projekt i paralajmëruar në shkurt 2025 me 12 milionë euro.

SHKUP — Rikonstruksioni i Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit SPQ "8 Shtatori" ka përfunduar, duke i shtuar spitalit shtatë salla operative me sipërfaqe totale rreth dy mijë metrash katrorë, të destinuara për kirurgji abdominale, urologji, ORL dhe oftalmologji.

Ndërhyrja ka përfshirë bllokun operativ, njësinë e kujdesit intensiv, repartin e patologjisë, laboratorin klinik, seksionin administrativ dhe konstruksionin e çatisë. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu njoftoi gjithashtu se janë instaluar sisteme të reja elektrike dhe mekanike, sistem për menaxhim të centralizuar, pajisje mjekësore dhe panele fotovoltaike për efikasitet energjetik.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se para rikonstruksionit, blloku operativ përballej me probleme infrastrukturore, përfshirë rrjedhjen e çatisë gjatë reshjeve. "U dëshiroj ta përdorin sa më pak — që do të thotë sa më pak pacientë. Por ata pacientë që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor dhe ndërhyrje nga personeli mjekësor dhe mjekët, të ndihen rehat, të ndihen me dinjitet këtu në këto hapësira të rinovuara", tha ai.

Aliu deklaroi se me këtë projekt u krijua "një hapësirë shëndetësore tërësisht e re, funksionale dhe teknikisht e harmonizuar, në përputhje me standardet më moderne mjekësore dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë". Sipas tij, projekti "nuk paraqet vetëm një rikonstruksion ndërtimor" por "investim në sigurinë e pacientëve, në kushte më të mira pune për personelin mjekësor dhe në stabilitetin afatgjatë dhe efikasitetin e sistemit shëndetësor".

Para fillimit të pranimit të pacientëve, autoritetet do të zhvillojnë procedurat e dezinfektimit dhe trajnimit të stafit për pajisjet e reja. Projekti u paralajmërua në shkurt 2025 me vlerë investimi prej 12 milionë eurosh dhe repartet pritet të bëhen funksionale në javët në vijim.

Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.