Samsung mohon keqpërdorim: kishim garanci për imazhin e Dua Lipës
Kompania jugkoreane thotë se imazhi u përdor pas garancisë nga partneri i palës së tretë; avokatët e artistes kërkojnë 15 milionë dollarë.
LOS ANGELES — Samsung ka reaguar zyrtarisht ndaj padisë të ngritur nga këngëtarja shqiptare Dua Lipa, e cila e akuzon gjigantin e teknologjisë për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj në kutitë e televizorëve. Kompania jugkoreane thotë se imazhi është përdorur me garanci të qarta nga partneri i palës së tretë.
Në një deklaratë dhënë për revistën "Billboard", Samsung ka bërë të ditur se imazhi i artistes ka qenë pjesë e përmbajtjeve të partnerëve të palës së tretë të shërbimit "Samsung TV Plus" gjatë vitit 2025. Sipas kompanisë, nga partneri përkatës është marrë "garanci e qartë" se ishin siguruar të gjitha lejet e nevojshme, përfshirë edhe për përdorim në paketime.
"Imazhi i zonjës Lipa është përdorur vetëm pas sigurimit të qartë nga partneri i përmbajtjes se leja ishte marrë. Bazuar në këtë garanci, ne i hedhim poshtë pretendimet për keqpërdorim të qëllimshëm", ka deklaruar kompania. Samsung ka shtuar gjithashtu se ka respekt të madh për të drejtat e pronësisë intelektuale të artistëve dhe mbetet i hapur për zgjidhje konstruktive me ekipin ligjor të Dua Lipës.
Avokatët e Dua Lipës kanë ngritur padi në gjykatën federale në Los Angeles, duke pretenduar se imazhi i këngëtares është përdorur pa leje dhe pa kompensim financiar në kutitë e televizorëve Samsung gjatë viteve 2025 dhe 2026. Sipas padisë, fotografitë e saj kanë shërbyer në një fushatë të gjerë marketingu në Shtetet e Bashkuara, duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga imazhi i artistes.
Avokatët e artistes kërkojnë 15 milionë dollarë dëmshpërblim dhe theksojnë se Dua Lipa nuk ka qenë në dijeni dhe nuk ka dhënë asnjëherë pëlqim për përdorimin e tillë të imazhit të saj. Ata kanë cilësuar rastin si shkelje serioze të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe identitetit personal. Sipas pretendimeve, përdorimi ka vazhduar pavarësisht kërkesave të mëhershme për ndalim të menjëhershëm.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.