lajme

Samsung mohon fajin: Dua Lipa kërkon 15 milionë dollarë

Gjiganti teknologjik thotë se ka pasur garanci nga një partner i tretë; avokatët e këngëtares kërkojnë 15 milionë dollarë dëmshpërblim.

LOS ANXHELOS — Samsung ka reaguar zyrtarisht ndaj padisë civile të ngritur nga këngëtarja shqiptare Dua Lipa, e cila akuzon kompaninë për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj në paketimet e televizorëve.

Në një deklaratë dhënë revistës Billboard, Samsung ka sqaruar se imazhi i Dua Lipës është përdorur gjatë vitit 2025 në kuadër të përmbajtjeve të partnerëve të palës së tretë të shërbimit Samsung TV Plus. Kompania ka theksuar se ka marrë "garanci të qartë" nga partneri përkatës se ishin siguruar të gjitha lejet e nevojshme, përfshirë edhe për përdorim në paketime.

"Imazhi i zonjës Lipa është përdorur vetëm pas sigurimit të qartë nga partneri i përmbajtjes se leja ishte marrë. Bazuar në këtë garanci, ne i hedhim poshtë pretendimet për keqpërdorim të qëllimshëm", ka deklaruar kompania. Samsung ka shtuar se ka respekt të madh për Dua Lipën dhe të drejtat e pronësisë intelektuale të artistëve, duke deklaruar se mbetet i hapur për zgjidhje konstruktive me ekipin e saj ligjor.

Avokatët e Dua Lipës kanë ngritur padinë në gjykatën federale në Los Angeles, duke pretenduar se fotografia e këngëtares është shfrytëzuar në një fushatë të gjerë marketingu në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve 2025 dhe 2026, pa leje dhe pa kompensim financiar. Ata kërkojnë 15 milionë dollarë dëmshpërblim. Sipas padisë, Dua Lipa nuk ka qenë në dijeni dhe nuk ka dhënë asnjëherë pëlqim për përdorim të tillë. Avokatët e saj kanë cilësuar rastin si shkelje serioze të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe identitetit personal. Kërkesa për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit, sipas pretendimeve, u injorua nga kompania.

Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.