lajme

BIRN: Avokatët mungojnë me qëllim, Gjykata e Posaçme ngec

Rasti Berberi me 20 të pandehur zvarritet prej janarit, ndërkohë Komiteti Disiplinor pranon se gjykatat nuk referohen mjaftueshëm.

BIRN: Avokatët mungojnë me qëllim, Gjykata e Posaçme ngec
Foto: almakos.com

TIRANË — Mungesat e vazhdueshme të avokatëve po bëhen shkak për zvarritjen e qëllimtë të proceseve gjyqësore të profilit të lartë në Gjykatën e Posaçme — fenomen i cili, sipas hetimit të BIRN, nuk po pasohet me masa disiplinore të mjaftueshme.

Rasti ilustrues është ai i ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi: nga janari deri në maj, gjyqi kundër tij dhe 20 të pandehurve të tjerë — të akuzuar për korrupsion, shkelje të barazisë në tenderë dhe pastrim parash — ka kaluar nga njëra shtyrje në tjetrën. Të pandehurit kishin pranuar gjykimin e shkurtuar, i cili sipas Kodit të Procedurës Penale duhej të mbyllej brenda dy ose tre seancash.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Engert Pëllumbi, e quan fenomenin "problem endemik i sistemit gjyqësor dhe i gjykatave të posaçme në veçanti". Sipas tij, zvarritjet u sigurojnë të pandehurve avantazhe konkrete: 1 ditë paraburgim llogaritet sa 1 ditë e gjysmë burg, duke u mundësuar të kërkojnë lirimin pas izolimit të zgjatur. "Duke stisur shtyrjen e qëndrimit të tyre në paraburgim, një pjesë e të pandehurve këtë argument e përdorin për të kërkuar lirinë," tha ai.

Pedagogja e drejtësisë penale Lirime Çukaj, nga Universiteti i Tiranës, nuk lë vend për dyshim: "Ti kërkon të zvarritësh procesin pasi mund të përfitosh, së pari nga fazat e paraburgimit. Qëllimi i të pandehurve është të qëndrojnë sa më shumë në paraburgim, në mënyrë që kur gjykata të japë masat e dënimit, të jenë të barabarta me pjesën e vuajtjes. Ky është qëllimi."

Ferdinand Ndoja, kryetar i Komitetit Disiplinor pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pranon se gjykatat nuk i referohen mjaftueshëm raste të tilla. "Janë klientët që u thonë avokatëve të mos marrin pjesë në seanca. Madje, iu paguajnë edhe gjobën," tha Ndoja. Zvarritjet shkaktojnë edhe konsum të panevojshëm të burimeve njerëzore dhe financiare të gjykatave si dhe perceptim negativ mbi eficensën e gjyqësorit.

Burim: Almakos
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.