lajme

Mbi 3.000 fidane mbillen në Veles për Ditën e Evropës

Aksioni 'Evropa jonë, rritemi së bashku' mblodhi vullnetarë, nxënës dhe diplomatë BE për të ripyllëzuar brezin pyjor pranë liqenit Mlladost.

VELES — Mbi 3.000 fidane u mbollën të martën, më 12 maj, pranë liqenit "Mlladost" në Veles, në zonën e shkatërruar nga zjarret, si pjesë e aksionit "Evropa jonë, rritemi së bashku", organizuar me rastin e Ditës së Evropës.

Aksionin e hapi Martin Shroder, zëvendësshef i sektorit politik në Delegacionin e Bashkimit Evropian, në prani të Vilma Dambrauskiene, ambasadore e Lituanisë, Iveta Hrikova, ambasadore e Sllovakisë, përfaqësuesve të Ambasadës së Greqisë dhe kryetarit të Komunës së Velesit, Marko Kolev.

Në aksion morën pjesë nxënës, studentë dhe vullnetarë, bashkë me diplomatë nga Bashkimi Evropian, Komuna e Velesit, organizata joqeveritare dhe anëtarë të komunitetit lokal. Mbjellja u realizua me mbështetje profesionale nga NP Pyjet Kombëtare, dega Veles, ku pjesëmarrësit morën udhëzime për mbjelljen e duhur, llojet e fidanëve dhe rëndësinë e pyllëzimit për ripërtëritjen e ekosistemit lokal.

"Angazhimi i të rinjve në këtë iniciativë ishte me rëndësi të veçantë, pasi tregoi gatishmërinë e tyre për t'u përfshirë aktivisht në mbrojtjen e natyrës dhe në krijimin e një të ardhmeje më të gjelbër. Aksioni nxiti bashkëpunimin mes institucioneve, të rinjve, organizatave qytetare dhe komunitetit lokal, duke e kthyer shënimin e Ditës së Europës në një aktivitet të dukshëm dhe të dobishëm në terren", thonë nga Europe House Shkup.

Aksioni ishte pjesë e programit më të gjerë për shënimin e Ditës së Evropës, përmes të cilit Delegacioni i Bashkimit Evropian, vendet anëtare dhe rrjeti i Europe House e sjellin frymën e "Europa jonë" në qytete të ndryshme të vendit.

"Me këtë iniciativë, Velesi dërgoi mesazhin se kujdesi për natyrën fillon me veprim të përbashkët. Fidanët e mbjellë janë një gjurmë që do të mbetet për gjeneratat e ardhshme dhe përfaqësojnë një investim afatgjatë në një mjedis më të pastër, një komunitet lokal më të fortë dhe një të ardhme më të gjelbër", thuhet në njoftim.

Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.