lajme

Krasniqi: Veseli ruan dinjitetin, por procesi zvarritet

Ish-kryetari i PDK-së vizitoi Veselin në Hagë dhe kërkoi fund të shtyrjeve: 'Kjo pritje e gjatë nuk është e lehtë për askënd'.

Krasniqi: Veseli ruan dinjitetin, por procesi zvarritet
Foto: indeksonline.net

HAGË — Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar se ka realizuar një tjetër vizitë në Hagë, ku u takua me ish-kryetarin e PDK-së dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Krasniqi e bëri publik takimin përmes një postimi në rrjetet sociale, të mërkurën, më 6 maj 2026. Ai shkroi se Veseli dhe bashkëluftëtarët e tij, pavarësisht viteve të gjata dhe të vështira të procesit gjyqësor, vazhdojnë t'i ruajnë dinjitetin, qetësinë dhe besimin e tyre.

"Sot, një tjetër vizitë në Hagë, për ta takuar Kryetarin Kadri Veseli. Edhe pas gjithë këtyre viteve të gjata e të vështira, ai dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë ta mbajnë lart dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi", ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi ka nënvizuar se shtyrja e vazhdueshme e vendimit po e rëndon gjithë procesin. Thirrja e tij për drejtësi vjen ndërsa pritja e ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon pa afat të qartë.

"Si gjithmonë, i fortë në bindjet e tij, me dashuri të pashuar për Kosovën dhe me mall të madh për njerëzit dhe vendin e vet. Kjo pritje e gjatë nuk është e lehtë për askënd, sidomos kur vendimi vazhdon të shtyhet dhe procesi zvarritet pafundësisht", thuhet në postim.

Krasniqi ka ritheksuar besimin në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe ka kërkuar që procesi të përfundojë sa më parë me një vendim të drejtë dhe të pandikuar. "Po i numërojmë ditët deri në kthimin e tyre aty ku përkasin: në atdheun e tyre, pranë familjeve dhe popullit të Kosovës. Deri atëherë, keni të fala të gjithë nga Kryetari dhe shokët e tij!", ka përfunduar Krasniqi.

Burim: IndeksOnline
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.