Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Enjte · 30 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Serbia kërkon konsullatë në Shkodër — në qark jetojnë vetëm 54 serbë

Një zyrë shqiptare në Bujanoc, një zyrë serbe në Shkodër; reagime kundërshtuese në Shqipëri

Redaksia ZHURMA + Ruaj
Serbia kërkon konsullatë në Shkodër — në qark jetojnë vetëm 54 serbë
FOTO · Foto: Medija centar Beograd / Wikimedia Commons

TIRANË — Shqipëria dhe Serbia janë në diskutime për hapjen e dy zyrave konsullore: një zyrë shqiptare në Bujanoc, në Luginën e Preshevës, dhe një zyrë serbe në Shkodër. Lajmi është shoqëruar me reagime të shumta kundërshtuese në Shqipëri, jo vetëm nga opozita.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha për mediat serbe se është arritur një marrëveshje në parim pas bisedimeve me homologun shqiptar, Ferit Hoxha. Ndërkohë, ministri shqiptar sqaroi se procesi është ende në fazën e shprehjes së kërkesës nga të dyja palët.

Reagimi i parë kundër një konsullate të Serbisë në Shkodër erdhi nga deputetja e pavarur, e sapolarguar nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku, e cila përfaqëson Shkodrën në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo argumentoi se hapja e një konsullate serbe në Shkodër ngre pikëpyetje për motivet e saj, duke iu referuar faktit se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në qarkun e Shkodrës janë vetëm 54 persona të vetëdeklaruar si serbë.

Ministri Hoxha thotë se është e çuditshme, madje e vështirë për t’u kuptuar, që shumë prej reagimeve e anashkalojnë atë që për të është thelbësore: interesin e Shqipërisë dhe përfitimin që sjell krijimi i një pranie konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili drejtoi diplomacinë shqiptare nga viti 2013 deri në janar 2019, reagoi në rrjetet sociale duke shprehur shpresën që lajmi të mos jetë i vërtetë. “Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë dhe vendos padrejtësisht shenjë barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, shkruan Bushati.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, kërkoi dorëheqjen e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Sipas saj, hapja e një konsullate justifikohet vetëm kur ekziston një komunitet i konsiderueshëm që ka nevojë për shërbime konsullore ose kur marrëdhëniet dypalëshe kërkojnë një prani shtesë diplomatike.

Burim: Illyria (NY, SHBA), https://www.illyria.com/kerkesa-e-serbise-per-konsullate-ne-shkoder-pritet-me-kundershtime-ne-shqiperi/
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Shqipëri →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →