IKShPK nis aktivitetet për Tetorin Rozë në të gjitha rajonet
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po zhvillon aktivitete informuese dhe edukative në të gjitha rajonet e vendit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po zhvillon aktivitete të shumta informuese dhe edukative në të gjitha rajonet e vendit, në kuadër të Tetorit Rozë, që është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Këto aktivitet po realizohen përmes Qendrave Rajonale të Shëndetit Publik, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, arsimore dhe partnerët lokalë.
Në qytetin e Pejës janë organizuar aktivitete solidariteti, duke përfshirë dhurimin e flokëve në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit, si dhe janë mbajtur ligjërata edukativo-shëndetësore. Në Prizren janë mbajtur aktivitete simbolike me mbjelljen e fidanëve nga gratë e mbijetuara dhe organizata «Burrneshat», si dhe ligjërata në disa lokalitete. Ndërkaq, në Mitrovicë është organizuar marsh tradicional në shenjë solidariteti dhe ndërgjegjësimi. Në Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë janë zhvilluar ligjërata informuese në shkolla, institucione publike dhe qendra shëndetësore.
Sipas njoftimit të IKShPK-së, «përmes këtyre aktiviteteve, synohet rritja e ndërgjegjësimit për faktorët e rrezikut, njohja e shenjave dhe simptomave, rëndësia e kontrolleve të rregullta dhe zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit». Instituti ka bërë thirrje se kujdesi për shëndetin fillon me informimin dhe veprimin në kohë, duke përcjellë mesazhin e kontrolleve për veten dhe jetën.