Gashi tregon se po punon në ndërtimtari në Gjermani
Drilon Gashi ka treguar se ka përfunduar duke shtruar pllaka në Gjermani, pas shkarkimit të tij të mëparshëm nga pozita e këshilltarit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Drilon Gashi, ish-këshilltar i Glauk Konjufcës gjatë kohës sa ky shërbente si kryetar i Kuvendit, ka treguar përmes një shkrimi në Facebook se po punon duke shtruar pllaka në Gjermani për shkak të mungesës së perspektivës në Kosovë. Gashi deklaroi se nuk po shkruan «për t’u viktimizuar, por për të treguar një të vërtetë që shumë shqiptarë e jetojnë në heshtje».
Në rrëfimin e tij, ai ka theksuar se ka kaluar rreth 25 vjet duke studiuar teologji, filozofi dhe shkenca humane, ndërsa ka shërbyer edhe si imam në Pejë. «Kam kaluar rreth 25 vjet të jetës duke studiuar teologji, filozofi dhe shkenca humane. Kam shërbyer si imam, kam punuar këshilltar i Kryekuvendarit, kam vazhduar studimet në Psikoterapi dhe jam përpjekur të ndërtoj një jetë me dije e punë të ndershme. Por sot, në moshën 39-vjeçare, jam këtu, në Baushtellë, duke vendosur pllaka, duke bartur kova e duke punuar me duart e mia…», ka shkruar ndër tjerash ai.
Gashi ishte shkarkuar nga Konjufca në vitin 2023 pas një vendimi dënimi për dhunë në familje, ku kishte sulmuar bashkëshorten e tij. Ai gjithashtu ishte përjashtuar nga Bashkësia Islame e Kosovës për shkak të mospajtimeve me qëndrimet e tij publike, pasi ishte treguar liberal dhe kishte shfaqur bindje përtej dogmës islame.