Didona
Didona, bija e mbretit tirian Muto (Beli ose Agenori) (në Feniki) dhe motra e Pigmalionit, i cili e vrau burrin e Didonës që t’i merrte pasuritë. Por Didona arriti të ikte me disa tirianë, duke marrë me vete edhe thesaret. Ajo arriti në Qipro, pastaj në Afrikën Veriore. Mbreti i fiseve berbere, Jaraba, në fillim nuk i pranoi që të vendoseshin të ikurit në vendin fqinjë me të. Megjithatë, ai pranoi t’u jepte atyre aq tokë, sa mund të zinte lëkura e një kau. Didona e preu këtë lëkurë në lripa shumë të hollë dhe e mori atë tokë, në të cilën themeloi Kartagjenën. Jaraba u dashurua pas princeshës dhe e kërcënoi se po të refuzonte, do ta sulmonte e do t’i vriste tirianët. Por Didona, që ishte betuar t’i qëndronte besnike kujtimit të burrit të saj të parë, preferoi më mirë të vriste veten, sesa të shkelte betimin e saj. Nga ky veprim i guximshëm, populli e nderoi Didonën si hyjneshë. Kjo është legjenda në formën e parë që njihej nga grekët. Virgjili, megjithëse që nga rënia e Trojës deri në themelimin e Kartagjenës kaluan rreth 300 vjet, ka krijuar një version tjetër sipas të cilit Didona u dashurua pas Eneut, kur ai arriti në Afrikë.
Meqë pas disa kohësh Eneu u nis për në Itali, Didona e dëshpëruar vrau veten.