E Bukura e Dheut
E Bukura e Dheut (Bukuroshja e Dheut), figurë e tregimeve popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vajzë me një bukuri të pashoqe. Emri i saj do të thotë «Bukuria e Tokës». Ajo na paraqitet me disa tipare që na kujtojnë magjistricën Circe të mitologjisë greke. Të dyja figurat kanë lidhje me mbretërinë e nëntokës dhe, ashtu si Circia, edhe E Bukura e Dheut banonte në një pallat që e ruante kuçedra ose një qen me tri kokë, i llojit të Cerberit. Sikundër Circa i shndërronte njerëzit në derra, edhe E Bukura e Dheut, me ndihmën e një shtrige, i nguroste shpesh trimat. Heronjtë e përrallave shqiptare duhet të kalonin sprova të vështira për të arritur deri tek ajo, duke luftuar me kuçedrën, duke zgjidhur gjë e gjëza dhe duke kapërcyer pengesa mbinatyrore. Ajo përfaqëson njëkohësisht bukurinë e tokës dhe rreziqet e botës së nëntokës, duke bashkuar në vetvete tërheqjen dhe frikën, dashurinë dhe vdekjen. → Circia.
Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.