Centaurët
Centaurët, qenie mitike, demonë të pyjeve. Centaurët përmenden në legjendat e disa vendeve malore të Greqisë së
Vjetër, të Arkadisë, të Elidës, të Pelionit në Tesali. Ata i paraqitnin në mënyra të ndryshme, sipas epokave. Për Homerin ata ishin popuj të egër të Tesalisë, të dëgjuar për forcën e tyre të madhe. Më vonë ata paraqiteshin si përbindësha gjysmënjerëz e gjysmëkuaj. Sipas legjendës që njihet më shumë, ata ishin bijtë e Eksionit dhe të Nefelës. Në përgjithësi i përfytyronin si qenie keqbërëse, gjithnjë në luftë kundër lapitëve, Herakliut dhe Tezeut. Tregojnë se mbreti i lapitëve, Piritoi, i ftoi Centaurët në dasmën e tij me Hipodaminë. Në mes të festës ata deshën të rrëmbenin nusen dhe të përdhunonin gratë. Por Herakfiu ahe Tezeu u vërsulën dhe vranë shumë prej tyre. Për zhdukjen e Centaurve ka legjenda të ndryshme. sipas të cilave, shumica do të jenë vrarë në luftën kundër Herakliut në Arkadi dhe në Lakoni, të tjerët do të kenë ikur me anije dhe do të jenë bërë viktima të Sirenave. Shkaku i lindjes së legjendave mbi Centaurët nuk dihet saktë. Disa e lidhin atë me një fis kalorësish të ardhur nga Veriu, në një kohë kur kuajt nuk njiheshin në Greqi, ndaj ata i perceptuan kalorësin dhe kalin si një qenie të vetme. Por sido që të jetë, Centaurët si Satirët, simbolizojnë pasionet e egra të papërmbajtura. Vetëm njëri, Kironi, dallohej prej tyre pasi kishte marrë kulturë dhe arsim.