Braho: SPAK i dërgoi letërporosi Francës para arrestimit të Beqirajt
Kreu i SPAK thotë se prokuroria ishte prej javësh në kontakt me autoritetet franceze dhe kishte dërguar letërporosi para arrestimit të Beqirajt.
TIRANË — Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, tha se institucioni e dinte vendndodhjen e Ermal Beqirajt dhe kishte dërguar letërporosi te autoritetet franceze para se ai të arrestohej në Francë. Beqiraj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për dosjen “AKSHI”.
Braho sqaroi se arrestimi nuk ishte një veprim i rastësishëm, por rezultat i një bashkëpunimi disa-javor. Sipas tij, prokuroria kishte qenë prej javësh në kontakt me autoritetet franceze dhe kishte shkëmbyer informacion jo vetëm për kapjen e Beqirajt, por edhe për veprime të tjera që lidhen me hetimin, të cilat do të bëhen publike më vonë.
“Prokuroria, në çdo rast, sapo merr urdhrin e gjykatës, e dërgon për ekzekutim pranë organit që ka detyrën përkatëse. […] Nuk ka qenë një veprim i rastësishëm. […] Prokuroria e ka ditur se ku ai ndodhej dhe ka dërguar letërporosi para se ai të arrestohej”, tha Braho.
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Beqirajt masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra penale, mes tyre heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme përmes dhunës, shkelje të barazisë në tendera publikë, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.
Beqiraj ndodhet aktualisht në paraburgim në Francë dhe pritet të ndiqen procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Braho tha se për veprime të tjera të lidhura me hetimin “do t’ju bëjmë me dije në vijim”, pa dhënë më shumë detaje për momentin.
Burim: Top Channel
— Redaksia ZHURMA