Baret dhe restorantet zënë 12% të bizneseve në Shqipëri — rekord në Europë
Me 15,445 ndërmarrje të regjistruara në këtë sektor, Shqipëria ka pothuajse dyfishin e bareve për banor krahasuar me mesataren europiane.
TIRANË — Baret, restorantet dhe shërbimet ushqimore përbëjnë 12.28% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve në Shqipëri, pesha më e lartë ndër vendet europiane të krahasuara. Kjo shifër është rreth 2.6 herë mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila qëndron në 4.73% sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023.
Në vend rezultojnë 15,445 ndërmarrje të regjistruara në kategorinë NACE 56, që përfshin restorantet, aktivitetet lëvizshme ushqimore, kateringun, baret, kafenetë dhe pije të tjera. Në raport me numrin total të ndërmarrjeve (125,737), një në çdo tetë biznese shqiptare operon në sektorin e ushqimit dhe pijeve.
Pas Shqipërisë në Europë, Serbia renditet me 8.43%, Greqia me 8.25%, Spanja me 7.51%. Vendet më të industrializuara — Lituania, Estonia, Polonia — kanë përqindje shumë më të ulëta, nën 2.5%.
Në raport me popullsinë, Shqipëria renditet e treta në Europë. Ajo ka 6.63 bare, restorante dhe shërbime ushqimore për çdo 1,000 banorë. Greqia kryeson me 7.4 ndërmarrje për 1,000 banorë, e ndjekur nga Portugalia me 6.95. Mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 3.5 ndërmarrje për 1,000 banorë.
Shqipëria ka pothuajse dyfishin e bareve dhe restoranteve për banor krahasuar me mesataren europiane. Diferenca me rajonin është edhe më e madhe: Serbia ka 2.69 biznese për 1,000 banorë, ndërsa Maqedonia e Veriut 2.43. Kjo do të thotë se Shqipëria ka rreth 2.5 herë më shumë ndërmarrje të këtij lloji për banor se Serbia, dhe 2.7 herë më shumë se Maqedonia e Veriut.
Bar-kafeneja nuk është fenomen i ri, por një model biznesi i vlefshëm për dekada. Kapital i ulët fillestar, hyrje e lehtë në treg dhe kultura e fortë e kafesë dhe socializimit jashtë shtëpisë e kanë forcuar atë. Vitet e fundit, rritja e turizmit i ka shtuar kërkesë këtij modeli, veçanërisht në Tiranë, në bregdet dhe në destinacione të tjera turistike.
Numri i lartë i bizneseve nuk nënkupton domosdoshmërisht peshë të barabartë në prodhimin ekonomik. Shumica janë biznese të vogla, shpesh familjare, me punonjës të kufizuar. Sektori përballet me rritjen e kostove të ushqimeve, energjisë, qirave dhe pagave, si dhe mungesë të fuqisë punëtore, që ka detyruar operatorët të rrisin pagat ose të kufizojnë aktivitetin.
Burim: Monitor
— Redaksia ZHURMA