Të rinjtë shqiptarë, të fundit në Europë për të ardhurat dhe fuqinë blerëse
Të dhënat e Eurostat për vitin 2025 tregojnë se familjet e të rinjve 18–24 vjeç në Shqipëri kanë të ardhura mediane prej 5,736 eurosh në vit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Të rinjtë shqiptarë renditen ndër më të varfrit në Europë për sa i përket të ardhurave të familjeve ku jetojnë, ndërsa sipas fuqisë blerëse pozicionohen në fund të listës kontinentale. Të dhënat e Eurostat për vitin 2025, të analizuara nga Euronews, tregojnë se të ardhurat mediane vjetore të disponueshme të familjeve të të rinjve të moshës 18–24 vjeç në Shqipëri arrijnë në 5,736 euro, duke shënuar nivelin e dytë më të ulët mes 34 vendeve të përfshira në krahasim pas Maqedonisë së Veriut me 4,640 euro. Kur treguesi matet sipas fuqisë blerëse, Shqipëria zbret e fundit me 8,175 PPS, e ndikuar nga çmimet më të shtrenjta, ku ato të ushqimeve llogariten 3% më lart se mesatarja e Bashkimit Europian.
Krahasimet tregojnë se mesatarja e Bashkimit Europian kap nivelin e 21,482 eurove, ndërsa renditja udhëhiqet nga Zvicra me 52,206 euro në vit, e ndjekur nga Luksemburgu me 43,028 euro dhe Austria me 37,299 euro. Nga ana tjetër, Gjermania shënon 26,330 euro, Italia 20,315 euro dhe Spanja 19,338 euro, kurse Franca pozicionohet e 11-ta me 23,850 euro. Eksperti i së drejtës europiane Alberto Alemanno thekson se protestat e fundit në disa shtete të kontinentit nuk përbëjnë thjesht një revoltë adoleshentësh, por përfshijnë kërkesa të gjera ekonomike e shoqërore, një panoramë që shoqërohet edhe me shqetësimet e ngritura nga studentët dhe të rinjtë në Shqipëri lidhur me koston e jetesës, arsimin dhe mungesën e vendeve të punës.