Kadastra evidenton rreth 1500 banesa me probleme në dokumentacion
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka shtrirë aksionin derë më derë në disa zona të vendit për identifikimin dhe trajtimin e pronave.
Redaksia ZHURMA · · 3 min lexim
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka evidentuar rreth 1500 banesa me probleme në dokumentacion gjatë aksionit derë më derë të shtrirë në disa zona të vendit, duke përfshirë Bashkinë e Himarës, Finiqin dhe Leskovikun, ku dhjetëra dosje pronësie janë tashmë në fazat përfundimtare të trajtimit ligjor.
Ky zhvillim vjen në kuadër të qasjes së re të ASHK-së për të punuar drejtpërdrejt në terren në 30 fshatra të Shqipërisë. Praktika synon të identifikojë nga afër problematikat e pronësisë, të përshpejtojë procedurat administrative dhe të ndihmojë qytetarët në plotësimin e dokumentave të nevojshme pranë zyrave përkatëse.
Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, vetëm në Palasë dhe Ilias të Himarës janë evidentuar rreth 1000 banesa. ASHK njofton se ka emetuar 22 vendime përfundimtare, ndërsa 38 banesa të tjera ndodhen në fazën e fundit të procedurës në afishim publik. Po ashtu, 55 subjekte duhet të dorëzojnë dokumentet që u mungojnë pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë, ku emrat e tyre dhe dokumentacioni përkatës janë publikuar në portalin zyrtar të agjencisë.
Kadastra bën me dije se puna në zonën e Himarës është zgjeruar prej kësaj të hëne edhe në fshatrat Kallarat, Vranisht, Bolenë, Tërbaç dhe Kuç. Grupet e specialistëve kanë nisur verifikimet edhe në Bashkinë Finiq, ku pas përfundimit të punës në gjashtë fshatrat e para të Njësisë Administrative Finiq me 150 shtëpi të evidentuara, aksioni ka vijuar në 10 fshatra të Njësisë Administrative Aliko.
Në të njëjtën kohë, grupet e punës po zhvillojnë kontrolle në terren në Velabisht të Beratit, në fshatin Kus të Kasharit, si dhe në Leskovik, ku janë evidentuar rreth 250 banesa. Banorët e të gjitha këtyre zonave mund të verifikojnë online në portalin e ASHK-së dokumentet që u mungojnë për të vijuar procedurat e mëtejshme.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës sqaron se informimi i drejtpërdrejtë dhe verifikimi në terren mbeten pjesë thelbësore e këtij procesi. Institucioni nëgzon se çdo rast i identifikuar po trajtohet mbi bazën e dokumentacionit përkatës të dorëzuar nga qytetarët dhe në përputhje të plotë me kërkesat ligjore në fuqi.
Pyetje e përgjigje
Sa banesa janë evidentuar gjithsej nga Kadastra?
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka evidentuar rreth 1500 banesa me probleme dokumentacioni, nga të cilat rreth 1000 në Himarë, 250 në Leskovik dhe 150 në gjashtë fshatrat e para të Finiqit.
Ku duhet t'i dorëzojnë dokumentet subjekti nga Himara?
Subjektet që kanë dokumente të munguara duhet t'i dorëzojnë ato pranë Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë, pasi të verifikojnë emrat në portalin zyrtar.
Në cilat fshatra po zgjerohet kontrolli i Kadastrës?
Puna është zgjeruar në Kallarat, Vranisht, Bolenë, Tërbaç e Kuç të Himarës, në 10 fshatra të Njësisë Aliko në Finiq, si dhe në Velabisht të Beratit e Kus të Kasharit.