A ishte Xhevat Prekazi tradhtar apo patriot? Lexojeni këtë analizë
Shkëlzen Gashi për Xhevat Prekazin: golat nga 40 metra dhe dyert që futbolli i Kosovës nuk ia hapi.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Shkëlzen Gashi shkruan për Xhevat Prekazin, ish-futbollistin e Partizanit, Hajdukut dhe Galatasarayt, i cili u nda nga jeta më 7 nëntor. Teksti i tij:
Xhevat Prekazi ka mundur të shënojë gola nga 40 metra largësi, por nuk ka mundur të gjejë një derë të hapur për të kontribuar në futbollin e Kosovës.
Ai ka dashur të kontribuojë, por nuk e kanë lejuar. Njësoj siç kishte dashur edhe Bekim Fehmiu të kontribuonte për kulturën shqiptare, por as atij nuk ia kishin krijuar mundësinë.
Për Xhevat Prekazin mund të tregojmë se si një djalë nga Mitrovica u bë legjendë te Partizani, Hajduku dhe Gallatasaraji. Por ka diçka që nuk na pëlqen ta kujtojmë: gatishmërinë e tij për të kontribuar për futbollin e Kosovës dhe paaftësinë tonë për t’ia hapur dyert.
Kur e pyetën se cili ishte futbollisti më i mirë shqiptar, Xhevati përmendi vëllain e tij, Luain. Ishte sikur të na thoshte: ju po ma njihni mua vlerën, mua që nuk qëndrova këtu, por çfarë bëtë me atë që qëndroi këtu?
Provincialët e shajnë Xhevatin pse luajti për Partizanin në Beograd, ashtu siç e kishin sharë edhe Bekim Fehmiun pse aktronte në Beograd. Ky është kontributi i tyre për kulturën dhe sportin: t’i shajnë ata që kanë arritur aty ku këta nuk mund ta imagjinojnë as të mbërrijnë.
Provinca nuk është vend i vogël në hartë. Është mendësi që te vlera e tjetrit sheh rrezik për veten. Provinca nuk mund t’i durojë yjet, sidomos ata që shkëlqejnë pa marrë leje prej saj.
— Shkëlzen Gashi
Lexo edhe
Më shumë →Kjo histori — 4 zhvillime
- 8 nëntor Ndërron jetë legjenda e futbollit, Xhevat Prekazi
- 9 nëntor Galatasaray për vdekjen e Xhevat Prekazit: Nuk do të harrojmë kurrë
- 9 nëntor Karriera e bujshme e Xhevat Prekazit te Partizani dhe Galatasaray
- 10 nëntor A ishte Xhevat Prekazi tradhtar apo patriot? Lexojeni këtë analizë · ky artikull