Kryhet me sukses vendosja e protezës totale të gjurit në Spitalin e Gjilanit
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit realizon për herë të parë ndërhyrjen kirurgjike për vendosjen e protezës totale të gjurit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
GJILAN — Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka shënuar një arritje të rëndësishme në avancimin e shërbimeve ortopedike, pasi ka realizuar për herë të parë ndërhyrjen kirurgjike për vendosjen e protezës totale të gjurit, e siguruar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës. Kjo ndërhyrje e specializuar synon përmirësimin e funksionit të nyjës, zvogëlimin e dhimbjeve dhe rritjen e cilësisë së jetës së pacientëve, të cilët tani mund të trajtohen më afër vendbanimit të tyre pa pasur nevojë të drejtohen në qendra të tjera spitalore. Sipas njoftimit të spitalit, pacientja pas operacionit është në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe është vizituar nga drejtori i spitalit, Afrim Cana, ndërsa familjarët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për stafin mjekësor. Operacioni u krye nga një ekip i përbërë prej operatorit Veprim Presheva, asistentit Rinor Velekinca, anesteziologut Kelmend Jahiri, instrumentares Veranda Xhimshiti dhe teknikës së anestezionit Hasime Qerimi.