Kosova regjistroi 3.775 raste të reja me kancer gjatë vitit 2025
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike publikon raportin e sëmundjeve malinje për periudhën janar-dhjetor 2025.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka publikuar raportin për sëmundjet malinje gjatë periudhës janar-dhjetor 2025, ku bëhet e ditur se janë regjistruar 3.775 raste të reja me kancer në Kosovë. Sipas këtij dokumenti, gratë përbëjnë 51 për qind të rasteve të reja, ndërsa burrat 49 për qind, kurse grupmosha më e prekur rezulton të jetë ajo mbi 60 vjeç. Te gratë dominojnë kanceri i gjirit dhe ai i organeve gjenitale femërore, kurse te burrat atë e kryesojnë kanceri i lëkurës, i mushkërive dhe i prostatës.
Numri i përgjithshëm i personave me sëmundje malinje të raportuar përfshin edhe pacientët e diagnostikuar në vitet e mëparshme, duke arritur në 5.564 persona gjithsej. Këto të dhëna janë mbledhur nga institucionet shëndetësore publike dhe private nëpërmjet Regjistrit Popullativ të Sëmundjeve Malinje. Prishtina prin me 652 raste të reja, pasuar nga Peja me 259, Gjakova dhe Prizreni me nga 236, Ferizaj me 209, Mitrovica me 188, Podujeva me 172 dhe Vushtrria me 169 raste.
Në parathënien e raportit theksohet se nuk janë raportuar të gjitha të dhënat ashtu siç duhet. «Besojmë se ky publikim do të shërbej si informacion dhe motivim për ata të cilët nuk raportuan si duhet dhe të cilët do të shohin se një pjesë e punës së tyre nuk është prezantuar në këtë raport për shkak të mos raportimit»,- thuhet në këtë publikim, ku gjithashtu bëhet e ditur se kanceri i organeve tretëse del të jetë më i shpeshti.