Gashi pret në takim familjen Dehari dhe zotohet për zbardhjen e rastit
Kryeprokurori i ri i Shtetit takon familjen e Astrit Deharit dhe premton angazhim maksimal për zbardhjen e rrethanave të vdekjes.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur në takim familjen e Astrit Deharit, së bashku me prokurorin special Bekim Kodraliu, i cili është prokuror i kësaj çështjeje penale. Gjatë këtij takimi, sipas njoftimeve zyrtare, janë dëgjuar shqetësimet dhe qëndrimet e familjarëve lidhur me rastin.
Sipas Sistemit Prokurorial, Kryeprokurori ka theksuar se ndriçimi i plotë i rrethanave të vdekjes përbën obligim institucional. Gashi është zotuar se çështja do të trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim që e vërteta të marrë një epilog përfundimtar.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se institucioni mbetet i përkushtuar që çdo çështje të trajtohet me paanshmëri dhe transparencë, në mënyrë që viktimat të marrin përgjigje institucionale dhe të përmbushen pritshmëritë legjitime të familjarëve për drejtësi.