Zanati i saraçëve në Tetovë shkon drejt zhdukjes
Zanati i saraçëve në Tetovë po shkon drejt shuarjes, ndërsa mjeshtrit e vjetër paralajmërojnë mbylljen e dyqaneve për shkak të mungesës së kafshëve dhe interesimit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Saraçi Sherafedin Abdili, i cili ka mbushur plotë 74 vjet dhe punon prej gjashtë dekadash me këtë zanat, tregon se mundësitë për mbijetesë janë zvogëluar pasi kuajt janë zhdukur nga përdorimi i përditshëm. «Ka shtatë-tetë vite, ose më tepër, nuk ka më u krye puna nuk rijnë kuaj më», u shpreh ai, duke shtuar se rripin e fundit për kuaj e ka shitur para shtatë vitesh, ndërsa dy javët e fundit nuk ka shitur asnjë rrip lëkure. Abdili shpjegon se dikur punoheshin hamat dhe palldëmet për samare në sasi të mëdha, kurse sot gjithçka punohet me traktorë dhe makina.
Sipas të dhënave nga terreni, në qytetin e Tetovës dikur funksiononin gjashtë saraçë, ndërsa sot kanë mbetur vetëm dy persona që e ushtrojnë këtë profesion. Mjeshtrit e vjetër të lëkurës paralajmërojnë se të dy dyqanet e mbetura shkojnë drejt mbylljes dhe largimit përfundimtar nga ky profesion, pasi ekzistenca nuk mund të sigurohet më nga saraçllëku.
Të rinjve nuk u intereson aspak ky zanat, ndërsa sipas saraçit të vjetër, edhe ata që duan ta mësojnë e kanë kot pasi nuk ka më kuaj apo gomarë. «Jo, jo, s’ka interesim por edhe po ta mësojnë kot e kanë, kot, s’ka më kuaj apo gomarë», deklaroi Abdili, duke theksuar se dikur dimrit prodhoheshin deri në njëqind hama që shiteshin gjatë verës, por tani situata ka ndryshuar rrënjësisht dhe familjet nuk mbajnë më as lopë.