Vushtrria shënon 27-vjetorin e çlirimit me 565 viktima në kujtesë
Pse kujton Idrizi se liria i ka rrënjët në gjak dhe çfarë tha për të burgosurit në Hagë?
VUSHTARRË — Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur akademi solemne me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të qytetit në sheshin "Adem Jashari", ku u kujtua sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, ndërsa u ndanë çmimet më të larta komunale për personalitete që kanë dhënë kontribut për vendin.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se liria e Kosovës nuk erdhi rastësisht, por ishte rezultat i sakrificës së brezave të tërë. "Nuk ishte çdo herë kjo ditë. Ishte një kohë shumë e vështirë. Këto sheshe dukeshin ndryshe. Ky qytet dukej ndryshe. Dhe asgjë nuk ndodhte rastësisht. Edhe liria që gëzojmë sot nuk ishte e rastësishme. Ajo i ka rrënjët në gjak. Kjo tokë u ujit me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kombit tonë. U derdh gjak, u derdh lot, mund e sakrificë për të ardhur tek kjo ditë, për t’iu gëzuar kësaj dite, që sot kjo rini e jona, që sot ky popull ynë të jetojë i lirë dhe të festojë i gëzuar nën flamujt kombëtarë dhe shtetërorë", ka deklaruar Idrizi. Ai bëri thirrje për ruajtjen e vlerave të luftës.
Idrizi shprehu mirënjohje për aleatët ndërkombëtarë: "Andaj, t’i çmojmë dhe respektojmë vlerat e luftës, të përkulemi para dëshmorëve të kombit – ata të cilët e derdhën gjakun për këtë ditë. T’i falënderojmë përjetësisht aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, të cilat na ndihmuan që të vijmë në këtë ditë". Gjatë akademisë solemne u ndanë edhe çmimet më të larta të komunës. Me çmimin "Nderi i Qytetit" u nderua Nesim Spahiu, ndërsa me çmimin "Emblema e Vushtrrisë" u nderua invalidi i luftës së UÇK-së, Januz Halili, i cili i la gjymtyrët në arenat e luftës për ta gëzuar sot lirinë.
Kryetari i Vushtrrisë tha se 17 qershori mbetet një datë e shenjtë. "Çlirimi i Vushtrrisë nuk është thjesht një datë në kalendar. Është një kujtesë e përhershme e sakrificës së bijve dhe bijave më të mirë të këtij vendi, të cilët dhanë jetën për ta parë Kosovën e lirë, të pavarur dhe krenare. Në këtë ditë, secili prej nesh ka obligim moral dhe institucional të përkulet me respekt dhe mirënjohje para veprës së dëshmorëve dhe martirëve tanë", deklaroi ai.
Idrizi përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke i cilësuar si themelues të shtetit dhe të luftës çlirimtare. "Kur sot ne po e kremtojmë 27-vjetorin e çlirimit të qytetit tonë, padrejtësisht po mbahen prapa grilave, me akuza krejt të fabrikuara, çlirimtarët, themeluesit e shtetit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata burra nuk bënë asgjë tjetër veçse ia dedikuan mundin dhe jetën e vet lirisë dhe pavarësisë së Kosovës", tha ai.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Vushtrri, Gezim Zuqaku, kujtoi sakrificën e madhe. "Këtë liri e fituam me mund dhe me gjak, sepse komuna jonë në të gjitha etapat, por edhe në luftën e fundit, pagoi shtrenjtë, duke i dhënë 565 viktima dhe 67 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mesin e viktimave kemi edhe 77 fëmijë nën moshën 18-vjeçare. Kjo tregon me çfarë agresori patëm punë. Nuk ishin fajtorë fëmijët, por faj ishte vetëm kombi shqiptar", tha Zuqaku.
Ai kujtoi edhe një thënie të komandantit legjendar Adem Jashari: "Duhet të citoj një thënie të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili kishte thënë: 'Kur do t’i kemi ne në Kosovë varrezat e dëshmorëve?'. Prandaj, falë komandantit, familjes së tij dhe luftës sonë të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne i kemi varrezat e dëshmorëve, sepse nuk do të kishte kuptim kjo liri pa gjakun e dëshmorëve dhe pa luftën tonë të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", u shpreh Zuqaku.
Akademia solemne u përmbyll me nderime për dëshmorët dhe martirët e komunës.
Burim: Ekonomia Online
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.