Viktima e shtatë nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoni
Ministri i Shëndetësisë konfirmon rastin e shtatë të vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor në vend.
Maqedonia e Veriut ka regjistruar viktimën e shtatë nga ethet e Nilit Perëndimor, pasi një pacient ndërroi jetë pas një qëndrimi prej mbi 38 ditësh në spital. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, njoftoi se personi i fundit që humbi jetën ishte një 69-vjeçar nga Komuna e Gazi Babës në Shkup.
Gjatë konferencës për media, Klekovski bëri të ditur se gjatë tri ditëve të fundit është regjistruar vetëm një rast i ri i dyshimtë, ndërsa numri i pacientëve të hospitalizuar mbetet 19. Ai shtoi se rastet e reja së fundmi vijnë nga Shkupi i Veriut, për çka është diskutuar me kryetarët e komunave për të shtuar vëmendjen në ato zona. Lidhur me faktin se rastet fatale janë regjistruar te meshkujt, ministri theksoi se studimet tregojnë se sëmundja dhe vdekshmëria nga forma neuroinvazive janë më të larta te gjinia mashkullore, me një raport morbiditeti prej 3.7 me 1.
Kujtojmë se autoritetet shëndetësore më parë kishin lëshuar paralajmërime për udhëtarët dhe qytetarët rreth përhapjes së këtij virusi në vend.
Burimet: IndeksOnline; Ekonomia Online; Almakos; Zhurnal.mk; Tetova Sot (klaster 8 outlets).