Çfarë lidhje ka testosteroni me kancerin?
Një studim ndërkombëtar zbulon se nivelet shumë të ulëta mund të rrisin rrezikun e diagnostikimit dhe vdekjes nga kanceri
TIRANË — Testosteroni i ulët mund të jetë një sinjal paralajmërues për rrezik më të lartë të kancerit te burrat, sipas “Science”. Një studim ndërkombëtar sugjeron se nivelet shumë të ulëta të testosteronit të burrat mund të lidhen me një rrezik më të lartë të diagnostikimit me kancer dhe humbjes së jetës si pasojë e tij. Analiza përfshiu të dhënat e më shumë se 26 000 burrave nga 11 studime afatgjata të zhvilluara në Australi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë. Shkencëtarët matën nivelet e testosteronit dhe hormoneve të tjera të lidhura me të në gjak, ndërsa pjesëmarrësit u ndoqën për vite me radhë, për të parë nëse zhvillonin kancer.
Rezultatet treguan se burrat me nivele shumë të ulëta të testosteronit kishin më shumë gjasa të diagnostikoheshin me kancer dhe të vdisnin nga kjo sëmundje. Sipas studiuesve, rreziku i vdekjes nga kanceri filloi të rrisë kur niveli i testosteronit binte nën 8,6 nmol/L, ndërsa rreziku për t’u diagnostikuar me kancer rritej kur ai zbriste nën 7,3 nmol/L. Megjithatë, studiuesit vunë re një përjashtim të rëndësishëm: kanceri i prostatës nuk lidhej me nivelet natyrale të testosteronit, duke sfiduar bindjen e përhapur se testosteroni i ulët ndikon drejtpërdrejt në këtë lloj kanceri. Autorët theksojnë se këto rezultate nuk provojnë se testosteroni i ulët shkakton kancer, por ai mund të jetë një tregues i një gjendjeje më të dobët shëndetësore, si inflamacioni kronik, obeziteti, diabeti ose faktorë të tjerë që rrisin rrezikun për kancer. Studimi u publikua në revistën shkencore “The Lancet Healthy Longevity” dhe u drejtua nga studiuesi Marriott me bashkëpunëtorët e tij, duke qenë ndër kërkimet më të mëdha të bëra deri tani për të parë nëse ekziston një lidhje mes niveleve të hormoneve mashkullore dhe mundësisë që burrat të preken nga kanceri.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se studimi nuk përbën arsye, për të marrë suplemente apo terapi me testosteron, pa këshillën e mjekut, pasi nevojiten vlerësime individuale dhe trajtimi hormonal nuk është i përshtatshëm për çdo person.
Burim: ATSH, https://ata.gov.al/2026/07/18/science-nivelet-e-uleta-te-testosteronit-lidhen-me-rrezik-me-te-madh-per-kancer/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.