Paketa e re fiskale: Taksë për makinat elektrike dhe të huaja
Skema e re fiskale parashikon taksa vjetore për automjetet elektrike dhe një tarifë të re për mjetet e huaja në vend.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Paketa e re fiskale sjell ndryshime në skemën e taksimit të automjeteve, duke përfshirë për herë të parë mbi 10 mijë mjete elektrike që qarkullojnë në Shqipëri. Sipas projektligjit, autoveturat dhe autobusët elektrikë do të paguajnë një taksë vjetore fikse prej 15 mijë lekësh në vit, ndërsa për motomjetet elektrike detyrimi do të jetë 1 mijë lekë në vit. Po ashtu, për herë të parë do të aplikohet një taksë qarkullimi për automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar, e cila do të përcaktohet në bazë të ditëve të qëndrimit. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 9-mujorit të parë të vitit në vend kanë hyrë rreth 2,6 milionë mjete me targa të huaja.
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë prezantimit të masave se taksa e qarkullimit do të hiqet nga çmimi i naftës për ta ulur atë automatikisht në pompë, ndërkohë që do të mblidhet përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. «Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë», u shpreh ai.
Ndryshimet prekin edhe kategoritë e tjera, ku taksa vjetore për mjetet e përdorura pritet të rritet deri në dyfishim, ndërsa për automjetet luksoze ajo do të rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë në vit. Kjo masë synon të sjellë rreth 430 milionë lekë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit, ndërsa efekti i zhvendosjes së taksës pritet të ndryshojë të ardhurat totale nga mjetet në dhjetëra miliardë lekë.