Stuhia “Charls” pritet të godasë Shqipërinë
Përkeqësim i motit në vend pas zhvendosjes së stuhisë nga Portugalia drejt Ballkanit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Stuhia e quajtur “Charls”, e cila fillimisht goditi brigjet e Portugalisë me reshje intensive shiu dhe erëra të fuqishme, ka nisur zhvendosjen drejt rajonit të Ballkanit. Meteorologët paralajmërojnë një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike në vend, duke sjellë reshje të dendura, erëra të forta dhe rrezik për përmbytje, kryesisht në zonat e verit dhe të veriperëndimit.
Sipas parashikimeve zyrtare meteorologjike, gjatë natës dhe ditës së nesërme stuhia pritet të përfshijë disa shtete të rajonit, përfshirë Malin e Zi, Kroacinë, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Përgjatë vijës bregdetare shqetësimi kryesor do të mbetet era e fuqishme, ndërsa reshjet më intensive do të përqendrohen në qarqet veriore dhe veriperëndimore të vendit.
Meteorologia Lajda Porja deklaroi se në zona të caktuara reshjet pritet të kalojnë shifrën 100 milimetra deri të dielën, kur edhe parashikohet ndërprerja e tyre. Sipas Porjës, zona si Shkodra, Bajram Curri, Puka dhe Lezha do të kenë reshje me intensitet të lartë dhe erëra të forta, ndërsa rajoni i qendrës dhe i jugut do të ketë reshje më të pakta.