Shqipëria dhe Gjermania nënshkruajnë tri marrëveshje energjetike me 114 milionë euro
Paketa përfshin digjitalizimin e rrjetit të transmetimit, rehabilitimin e HEC-it të Vaut të Dejës dhe konviktet studentore.
TIRANË — Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan sot tri marrëveshje bashkëpunimi në sektorin e energjisë dhe eficiencës energjetike, me vlerë totale rreth 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant, gjithsej rreth 114 milionë euro.
Firmat i vunë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner. Ministri bëri të ditur se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) kanë rëndësi strategjike për modernizimin e sistemit energjetik dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Marrëveshja e parë lidhet me eficiencën e energjisë në sistemin e transmetimit. Përmes saj do të bëhet digjitalizimi i të gjithë sistemit, duke mundësuar automatizimin e proceseve që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik, u shpreh Karakaçi.
Marrëveshja e dytë lidhet me rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, një nga veprat energjetike publike më të rëndësishme të vendit. Sipas ministrit, me ndihmën e KfW-së dhe qeverisë gjermane, hidrocentrali ka tashmë angazhimin për t'u rehabilituar, në vijim të punës së mirë të bërë deri tani me partnerët gjermanë.
E treta lidhet me rehabilitimin, në kuadër të eficiencës së energjisë, të godinave të konvikteve në "Qytetin Studenti". Projekti do të financohet me një grant prej 24 milionë eurosh nga qeveria gjermane përmes KfW-së dhe synon përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët, si dhe uljen e konsumit energjetik.
"Janë projekte që shkojnë në të mirën publike, për studentët, për një jetë më të mirë dhe një proces më të mirë të të nxënit, por edhe për kursimin energjetik, pasi të gjitha ambientet do të jenë me eficiencë energjie", deklaroi Karakaçi. Ministri falënderoi qeverinë gjermane dhe KfW-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen për projekte me interes publik në Shqipëri.
Nga ana e tij, ambasadori gjerman Karl Bergner shprehu mbështetjen e qeverisë gjermane për zhvillimin e investimeve me ndikim në ekonominë e vendit. Ai falënderoi qeverinë shqiptare për bashkëpunimin dhe vlerësoi rëndësinë e investimeve të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.
Burim: ABC News
— Redaksia ZHURMA




