Raporti zyrtar tregon ndryshimin e formës së emigracionit shqiptar drejt BE-së
Raporti i publikuar në Fletoren Zyrtare evidenton rritjen e lejeve të para të qëndrimit dhe lëvizjen drejt bashkimit familjar, por përmban mospërputhje shifrash.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 3 min lexim
Emigracioni i shtetasve shqiptarë drejt Bashkimit Europian mbetet në nivele të larta, ndërsa Shqipëria mban numrin më të lartë të lejeve të para të qëndrimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Raporti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i titulluar «Profili Kombëtar i Migracionit 2025» dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare më 4 nëntor, evidenton se largimi po zhvendoset nga ikja individuale e të rinjve drejt bashkimit familjar dhe punësimit në kanale të ligjshme.
Sipas dokumentit të qeverisë, vala e kërkesave për azil e disa viteve më parë po zëvendësohet me vendosjen afatgjatë në vendet pritëse. Dokumenti i përmbledh shkaqet e këtij procesi te diferencat e pagave, bashkimi familjar, liberalizimi i vizave dhe rikthimi i lëvizshmërisë pas pandemisë. Dokumenti e lidh këtë orientim me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2024–2030, pa përfshirë një analizë të thelluar për shkaqet e këtij transformimi apo pasojat e tij demografike dhe ekonomike në tregun shqiptar të punës.
Materiali zyrtar përmban gjithashtu pasaktësi dhe shifra kontradiktore sa i përket të dhënave statistikore. Në lidhje me madhësinë e diasporës, dokumenti i referohet fillimisht Censit 2023 të INSTAT, sipas të cilit diaspora përbën rreth 49% të popullsisë së përgjithshme, ose afërsisht 2.25 milionë persona. Më pas, duke cituar të dhënat konsullore të Ministrisë së Jashtme, po ky raport shënon se diaspora përbëhet nga 1.13 milionë persona, pa sqaruar diferencën mes metodologjive.
Mospërputhje janë vërejtur edhe në interpretimin e statistikave të Eurostat-it për vitin 2024. Dokumenti pretendon se shqiptarët përfaqësonin rreth 8% të 3.5 milionë lejeve të para të qëndrimit në BE, duke u renditur menjëherë pas ukrainasve që i atribuon 31.9% të totalit. Sidoqoftë, të dhënat reale të Eurostat-it tregojnë se në vitin 2024 shtetasit shqiptarë përfituan 66,193 leje të para qëndrimi, çka përbën rreth 1.9% të totalit në BE. Përqindja prej 8.4% i përket ukrainasve me 295,600 leje, ndërsa shifra prej 31.9% përfaqëson lejet e lëshuara për arsye punësimi për të gjitha shtetësitë. Po ashtu, raporti pretendon se për periudhën 2020–2024 janë lëshuar rreth 338 mijë leje të para qëndrimi.
Në përfundimet e dokumentit thuhet se: «Nëse periudha e mëparshme karakterizohej kryesisht nga emigracioni ekonomik dhe social i të rinjve, vitet e fundit është evidentuar një rritje e emigracionit të familjeve shqiptare, veçanërisht drejt vendeve raportuese.» Në një tjetër pjesë të raportit shtohet se: «Këto të dhëna tregojnë se migracioni shqiptar po kanalizohet kryesisht në rrugë të rregullta dhe afatgjata, në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2024-2030», si dhe pretendohet se: «Shtetasit shqiptarë vijojnë të renditen ndër përfituesit kryesorë të këtyre lejeve, duke përfaqësuar rreth 8% të totalit.»
Pyetje e përgjigje
Sa leje qëndrimi kanë marrë shqiptarët në BE në vitin 2024?
Sipas të dhënave të Eurostat-it, në vitin 2024 shtetasit shqiptarë përfituan 66,193 leje të para qëndrimi, që përbëjnë rreth 1.9% të totalit të lëshuar në Bashkimin Europian.
Çfarë përmban raporti i Ministrisë së Brendshme për emigracionin?
Dokumenti «Profili Kombëtar i Migracionit 2025» tregon se emigracioni po zhvendoset nga largimi individual i të rinjve drejt bashkimit familjar dhe punësimit të ligjshëm.