Fris: Na pret një ndeshje emocionuese, mund t’i ndëshkojmë kuqezinjtë
Trajneri i Finlandës shfaqet entuziast para duelit me Shqipërinë në «Air Albania» dhe vlerëson kundërshtarin.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Trajneri i Finlandës, Jakob Fris, është shfaqur para mediave për të folur rreth përballjes së skuadrës së tij kundër kuqezinjve, e cila do të luhet këtë të enjte në stadiumin «Air Albania». Tekniku është shprehur entuziast për situatën, duke vlerësuar se në ekip mbretëron një atmosferë pozitive dhe se ndeshja e ardhëse përbën finalen e parë për ta.
Sipas teknikut, ndërthurja e përvojës me rininë pritet të ndihmojë përgatitjet e skuadrës, ndërsa lojtarët më me përvojë janë gjendur më parë në situata të ngjashme. Gjatë analizës së fazës sulmuese, ai ka theksuar nevojën për më shumë guxim dhe dëshirë për të sfiduar pasi skuadra futet në zonën e sulmit, duke shtuar se kur nuk e kanë topin kërkojnë të jenë të disiplinuar për të kufizuar mundësitë e kundërshtarit.
Duke analizuar kundërshtarin, trajneri finlandez e ka cilësuar Shqipërinë si një ekip të fortë me lojtarë me shumë përvojë, i cili ndërthur mirë lojën direkte me atë të organizuar. «Ka qartësisht pika të forta në lojën e tyre, por pa hyrë në detaje, ka edhe aspekte të caktuara ku ne mund t’i ndëshkojmë», u shpreh ai para gazetarëve.